Te jesh femer dhe lezbike ne Kosovë

(Tash ne shqip. E kam shkru edhe ne gjuhen anglisht. Teksti eshte ma poshte)

Të jesh lezbike, shpesh nënkupton të mos ekzistosh fare. Ti nënkupton një fjalë të keqe, një fjalë fyese, një personazh apo trillim. Të jesh një femër që i donë femrat, ose një femër pa dekor të duhur (një mashkull) që të të qëndroj mbrapa, shpesh nënkupton që ti jeton me frikë.

Në Kosovë (dhe në shumicën e vendeve tjera), femrat vlerësohen mbi atë se çfarë burra kanë. Nëse femra vendos të jetojë në mënyrën që ajo e do dhe dëshiron (le të jetë një femër beqare apo femër lezbike), kjo nënkupton se ajo është duke e ndëshkuar vetën me një betejë të pafund për integritetin e saj. Askujt nuk i shkon ndërmend që femra pa mashkull mund të jetë një femër  lezbike. Lezbiket këtu nuk janë lezbike – ato janë femra beqare dhe si një femër beqare përballesh me forma të shumta të diskriminimit. Një femër beqare nuk bindet, ajo është zgjidhja e dytë për punë sepse gratë e martuara janë ato që zgjidhen të parat. Gratë e martuara konsiderohen se kanë mësuar të binden dhe ta respektojnë autoritetin. Pse të rrezikosh për një femër beqare?

Femra beqare ballafaqohet me vështirësi të shumta. Duke filluar me gjetjen e një banese të denjë për veten; qiradhënësit do ta dyshonin moralin e saj. Femra beqare vihet në ndërrime të punës që askush nuk pranon sepse ajo nuk ka kurrfarë obligime familjare. Femra beqare nuk duhet të del vetëm dhe vonë; nuk ka njeri ta mbrojë nga keqtrajtimi dhe dhunimi në rrugë. Nëse ajo është viktimë e dhunës atëherë ajo e ka merituar, çka bënte ajo natën vonë në rrugë? Një femër beqare kurrë nuk mendohet të jetë vetëm sepse vendosi të jetë në këtë mënyrë. Ajo gjithmonë shikohet dhe konsiderohet si e gjorë, e braktisur, e çmendur, e paaftë për ta gjetur një mashkull, e shëmtuar ose e paaftë që të ketë fëmijë. Dy femra që jetojnë bashkë mund mos të shikohen si çift lezbik, por gjithmonë do të jenë objekt për dyshimet nga ana e fqinjëve të tyre.

Izolimi shoqëror është ajo me çka ballafaqohen lezbiket. Sidomos lezbiket që jetojnë në vendet e vogla dhe fshatrat. Të jesh një femër beqare në Kosovë nënkupton të jesh me shenjë sepse nuk përshtatesh me modelin e “gruas së kombit”. Stigma që i ngjitet homoseksualeve shpesh mund të vështirësoj që lezbiket ta marrin edukimin. Si dhe vështirësitë për t’u avancuar në jetë  (në të gjitha fushat).

Situata ekonomike në Kosovë është e ulët dhe e dobët. Personat beqar shpesh detyrohen të jetojnë me prindërit e tyre. Ta ndajnë vendin me vëllezërit dhe motrat. Në veçanti, femrat ballafaqohen me këtë më shumë sepse nuk mund të përballojnë të jetojnë vetëm apo si çift. Zakonisht të ardhurat nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet elementar të jetesës dhe varen nga vullneti i mirë i prindërve të tyre. Prandaj kjo të çon në situatë ku familjet mendojnë që e kanë të drejtën të rregullojnë jetën si dhe gjërat e tjera të anëtarëve të tyre të familjes. Shumica e lezbikeve i bëhet shantazh me kërcënimin që orientimi i tyre seksual do të zbulohet familjes dhe të afërmve të saj. Dhe në rastet kur zbulohet orientimi i tyre, ato humbin edhe atë pak mbështetje financiare që e fitonin nga familjet dhe të afërmit e tyre. Lezbiket paraqesin turp dhe kërcënim për nderin dhe prestigjin e familjes.

Dhe çfarë në lidhje me kujdesin shëndetësor? Shumë lezbike i shmangen vizitave tek gjinekologu për shkak se ata supozojnë të femrat janë seksualisht aktive me meshkujt. Lezbikeve i duhet shpesh të gënjejnë gjë që shpie në sëmundje që nuk do të zbulohen me kohë dhe ndoshta asnjëherë.

Qendra për emancipim shoqëror (QESH) (ku une punoj) që është themeluar në vitin 2005 dhe është riaktivizuar në vitin 2011, punon në çështjet që kanë të bëjnë me LGBT si dhe me çështjet që lidhen me femra në përgjithësi. Ne duam t’i afrohemi femrave. Ne duam t’i afrohemi meshkujve. Duam t’i ndihmojmë vajzave dhe djemve që jo vetëm përballen me diskriminim por gjithashtu me keqtrajtim fizik dhe psikologjik. Duam ta ndërrojmë ligjin e familjes, duam që gjinekologet të jenë profesional, duam që policia të merrej me rrahjet e gejave në mënyrë serioze dhe të respektueshme. Edhe pse unë nuk mund t’i ndryshojë njerëzit dhe botëkuptimet në një ditë apo në dekada, të paktën mund të sigurohem se mbrojtja e tillë ekziston. Është më lehtë të jesh ajo që më të vërtetë do të jesh nëse e dinë që të paktën je i/e mbrojtur me ligj. Që nuk rrahesh nga ata që sipas Ligjit, detyrohen të të mbrojnë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s